27/09/2026
SQARIM LIDHUR ME NJOFTIMIN E AUV-it
Lidhur me njoftimin e publikuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) për produktin “Flips Ketchup” me datë skadimi 11.02.2027, Pestova dëshiron të ofrojë disa sqarime për konsumatorët dhe opinionin publik.
Rasti në fjalë lidhet me një seri të caktuar të produktit Flips Ketchup dhe nuk ka të bëjë me produktin VIPA Chips.
Menjëherë pas pranimit të njoftimit, Pestova ka bashkëpunuar me AUV-në dhe ka ndërmarrë veprimet e kërkuara nga autoritetet kompetente.
Sipas formulimeve, proceseve të prodhimit dhe dokumentacionit të lëndëve të para që përdor Pestova, qumështi, laktoza, hirra dhe nënproduktet e tjera të qumështit nuk janë përbërës të paraparë në prodhimin e këtyre produkteve. Kontrollet dhe inspektimi i deritanishëm nuk kanë identifikuar përdorimin e tyre të drejtpërdrejtë në procesin e prodhimit.
Për të përcaktuar me saktësi burimin e gjurmëve të evidentuara, janë duke u zhvilluar verifikime dhe analiza shtesë në laboratorë të akredituar. Rezultatet përfundimtare do t’u komunikohen autoriteteve kompetente dhe publikut sapo procesi i verifikimit të përfundojë.
Në lidhje me tregun e Sllovenisë, pas trajtimit të rastit me autoritetet kompetente atje, produktet janë lejuar për qarkullim. Produktet e Pestovës vazhdojnë të jenë të pranishme në tregun slloven dhe në tregje të tjera të Bashkimit Evropian.
Pestova zbaton standarde dhe procedura të përcaktuara për sigurinë dhe cilësinë e ushqimit dhe i nënshtrohet certifikimeve dhe kontrolleve nga organizata të pavarura dhe autoritetet kompetente.
Këtë rast po e trajtojmë me seriozitet, transparencë dhe në bashkëpunim të vazhdueshëm me institucionet përgjegjëse.
Do ta informojmë publikun për çdo zhvillim relevant dhe për rezultatet përfundimtare të verifikimeve.
PESTOVA
26.09.2026