24/01/2023
Dy fjalë për këtë përmbledhje
“Inna nahnu nezzelnadh dhikre ve inna lehu lehafidhun”
Hifzi në Myftininë e Tetovës është një prej punëve shumë të rëndësishme, për të cilën edhe vet institucioni ka shumë kujdes, duke e ndjekur mbarëvajtjen e hifzit përmes komisionit të hifzit. Ne kemi patur dhe kemi shumë hafizë të cilët kanë shërbyer dhe shërbejnë edhe sot në vend dhe jashtë. Sot kemi shumë imamë që janë hafizë si në vendlindje ashtu edhe në diasporë. I gjithë ky është rezultat i punës dhe i angazhimit të palodhshëm i mualimëve tanë, talebeve bashkë me familjet e tyre, si dhe i institucionit Myftini.
Myftinia e Tetovës, edhe sot kujdes të veçantë i jep të mësuarit përmendësh Kur’ani Kerimit-hafizllëkut, me ç’rast kjo Myftini me krenari mund të quhet vatra e hifzit, pasi gjithmonë ka patur mualimë të hifzit dhe hafizë, e në mënyrë të veçantë në këto 40 vitet e fundit edhe më intensivisht kanë dalë dhe dalin hafizë dhe hafize të reja.
Të nderuar lexues, ju në dorën tuaj keni broshurën e hafizëve dhe hafizeve që gravitojnë në Myftininë e Tetovës e që kanë përfunduar hifzin brenda viteve 2015-2022. Këta hafizë dhe hafize përgjithësisht hifzin e kanë përfunduar afërsisht brenda 2-3 viteve, me një përkushtim të madh të tyre, muallimit dhe familjes së tyre. Për të bërë hifz, duhet bërë një plan paralel ditor me të gjitha planet dhe angazhimet e tjera të zakonshme ditore në shtëpi, shkollë apo në ndonjë angazhim. Ashtu më thoshte edhe rahmetliu, muhafizi mulla Mahmut ef. Asllani, kur unë isha me djalin tim te ai për hifz: “Sot dynjaja ashtu është ba, që fëmijët pa prindërit e tyre nuk mësojnë”.
Kështu që, pas mbarimit të hifzit, kandidatët i nënshtrohen provimit para komisionit të Myftinisë, dhe pastaj, pas një ceremonie të veçantë që bëhet në xhami, atyre u jepet edhe diploma e hifzit. Në fund të ceremonisë së hifzit bëhet duaja e hafizit. Këto ceremoni zbukurohen me prezencën e Reisul Ulemasë, Myftiut dhe bashkëpunëtorëve të tyre, si dhe të një numri të madh hoxhallarësh, mysafirëve dhe të xhematit. Pas fjalimeve nga ana krerëve fetarë, hafizëve u jepen diplomat. Ndërkaq familja e hafizit apo hafizes për të shprehur gëzimin e saj, miqve dhe mysafirëve, u shtron edhe një drekë modeste.
Duke e falënderuar Allahun Fuqiplotë për këtë të mirë që na e ka dhënë, e lus Atë që t’i shtojë mualimët tanë që do të përgatisin hafiz dhe kandidatët që do të memorizojnë Kur’anin Fisnik. Kurse të gjithë muhafizët dhe mualimët t’i shpërblejë me më të mirat e Tij, në dunja dhe në ahiret. Ndërkaq të gjithë hafizëve Allahu Fuqiplotë t’ua mundësojë që hifzin ta ruajnë duke e përsëritur më shpesh.
Gjithashtu falënderoj kolegun tim, referentin për kulturë, Dr. Husein ef. Rizain, që dha maksimumin për përgatitjen e kësaj broshure.
Allahu u gëzoftë!
Prof. Dr. Qani ef. Nesimi
Myfti i Tetovës