06/02/2025
BAGËTI E BUJQËSIJA
O malet e Shqipërisë! E ju o lisat e gjatë,
Fushat e gjera me lule, q’u kam nër mënt dit’ e natë,
Ju bregore bukuroshe e ju lumënjt’ e kulluar,
Çuka, kodra, brinja, gërxhe dhe pyje të gjelbëruar!
Do të këndonj bagëtinë, që mbani ju e ushqeni,
O t’vëndethit e bekuar, ju mëndjenë ma dëfreni!
Ti, Shqipëri më ep nderë, më ep emërin Shqipëtar,
Zemrënë ti ma gatove plot dëshirë dhe me zjarr.
Shqipëri! Ò mëma ime! Ndonëse jam i mërguar,
Dashurinë tënde kurrë, zemëra s’e ka harruar.
Kur dëgjoj zëthin e s’ëmës, qysh e lë qengji kopenë,
Blegërinë dy a tri herë edhe ikën e merr dhenë,
Edhe në i prefshin udhën njëzetë a tridhjetë vetë
E ta trembin, ajy s’kthehet, po shkon në mest si shigjetë.
Ashtu dhe zemëra ime më le këtu, tek jam, mua,
Vjen me vrap e me dëshirë aty në viset e tua.
Tek buron ujët e ftohtë, edhe fryn veriu në verë,
Tek mbin lulja me gas shumë e me bukuri e m’erë,
Ku i fryn bariu xhurasë, tek kullosin bagëtija,
Ku mërzen cjapi me zile, atje i kam mënt’ e mija;
Atje lint diell’ i qeshur edhe hëna e gëzuar,
Fat’ i bardh’ e mirësija n’atë vënt janë mbluar;
Nat’ atje ‘shtë tjatrë natë, edhe dita tjatrë ditë.
Në pyjet e gjelbëruar, atje rrinë Perënditë.
Mëndje! Merr fushat e malet, jashtë, jashtë nga qyteti,
Nga brenga, nga thashethemet, nga rrëmuja nga rrëmeti.
Tek këndon thëllëza me gas edhe zogu me dëshirë,
E qyqeja duke qeshur, bilbili me ëmbëlsirë,
Tek hapetë trëndafili, atje ma ka ënda të jem,
Bashkë me shpestë edhe unë t’ja thërres këngës e t’ja them.
Të shoh kecërit e shqerrat, deshtë, cjeptë, dhënte, dhitë,
Qiellin e zbukuruar, dhenë me lul’ e me dritë.
Vashë bukurosh’ e bariut, që vjen me llërë përveshur,
Me zemër të dëfryer e me buzëzë të qeshur,
Me dy shqerrazë ndër duar të bukura, si dhe vetë,
Në sythin t’ënt e shoh gazë, që s’e kam gjetur ndë jetë.
Dashi susk’ e me këmborë, q’e ke manar, po të vjen pas
Dhe qeni me bes’ i larmë, të ndjek me dëshir’ e me gas;
Dashç Perëndinë, pa më thua, amës na pe bagëtinë?
I lash’ atje pas më të gdhirë... jâ atje përtej tek vinë!
O! Sa bukuri ka tufa, sa gas bije bagëtija!
Vinë posi mblet’ e plotë! I bekoftë Perëndija!
Nëpër shesh’ e nër bregore janë përhapur shqerrat,
E kecërit në për rripat, dhe gjethet e në ferrat;
Sa me vrap e me gas bredhin, edhe lozin shoku me shok
Aty përhapenë me nxit, aty mblidhenë prapë tok,
Edhe prapë tufë-tufë, përhapenë duke bredhur,
Duke ikur me vrap shumë, duke lojtur, duke hedhur,
Nxitojn’ e s’lodhenë kurrë, edhe kur i mer urija,
Sicili futet në tufë, suletë te mëm’ e tija,
Posa gjen mëmën e dashur, edhe me vrap i hyn në gji,
Rri më gjunjë dhe zë sisën, e qumështin e ëmbël pi:
Pa e ëma me mall shumë, ndo dhi qoftë e ndo dele,
Bir’ e vetëm e merr në gji, me gas e me përkëdhele.
Sa të mirazë ke dhenë! Zot i math e i vërtetë!
E ç’nom të hekur vure, për çdo gjë q’është në jetë!
Sa më pëlqen blegërima, zër’ i ëmbl’ e i bagëtisë,
Qengji edhe kec’ i bukur, që rri më gjunj’ e pi sisë!
Përhapurë bagëtija, në për sheshe, në për brinja,
Nër lajthi e në për dushnja, ndërr murriza, në dëllinja,
Bijen zilet e këmborët, dhe fyelli e xhuraja,
Dhe mbleron e gjelbërojnë fusha, male, brigje, maja,
Edhe gjithë gjë e gjallë, ndjen në zemrë një dëshirë,
Një gas t’ëmbël’ e të shumë. O! Sa e bukur e sa e mirë!
Pelën e ndjek mëz’ i bukur, lopës i vete viç pas,
Dellëndyshja punëtore, bën folenë me të math gas,
Ogiçi ikën përpara, i bie tufës në ballë,
Me zemrë të çelur shumë, vete si trimi me pallë,
Zoqtë zënë këng’ e valle dhe po kërcejn’ e këndojnë.
E në për dega me lule, si engjëllit fluturojnë,
Larashi ngrihet përpjetë, thua q’i shpije Perëndisë,
Një lëvdatë të bekuar për gëzim të gjithësisë.
Qielli sa ësht’ i kthiellt, e sa është zbukuruar!
E dielli sa ndrin bukur, mbi lulet e lulëzuar!
Gjithë këto lule ç’janë? Që u ngjallë me një herë!
Nga qielli ke zbritur? Ver’ o e bukura verë!
Çdo lulezë ka me vet-he, një emër’ e një fytyrë,
Një bukuri, një mirësi, një shtat, nj’ erë e një ngjyrë,
Si dhe çdo dra e çdo pemë, edhe çdo bar e do fletë,
Sa ësht’ e bukur faq’ e dheut! S’të zë syri gjë të metë,
Gjithë kjo bukuri vallë nga dheu të ketë mbleruar?
A me të matht të ti Zoti prej parrajs’ e ka dërguar?.. Veç një njeri shoh pa punë dhe të mjer’ e të brengosur,
Të këputur, të mejtuar, të grisur e të rreçkosur,
Lipën i gjori pa shpresë, se atje e pru përtimi,
S’i ka mbetur gaz në zemrë, se s’i la vënt hidhërimi;
Është njeri, si dhe neve, pa ep-i-ni, o të pasur,
E mos e lini të urët dhe të mjer’ e buzë-plasur,
Se përtim’ i zi, q’e pruri të gjorin më këtë ditë,
Nuk’ e dimë vet’ e xgjodhi, apo ja dhanë perënditë;
Edhe për një mizë, kur heq, i vjen keq njeriut të mirë,
Zemëra s’thuhetë zemrë, po të keshë mëshirë.
Ah! Edh’ atje tej mbi udhë, i duket i shkreti varri!
Rrethuar me lul’ e me bar, një të gjori udhëtari,
Që ka vdekur i ri shumë, e ka rarë lark shtëpisë,
Mërguar nga mëm’ e motrë, i rri si mëmëzë dh’ e qan,
Ndarë nga të gjithë shokët, edhe zi për të mjerin mban.
Tomor! O mal i bekuar, fron i lartë, që rri Zoti
Pas fes vjetrë që kishin Shqipëtaretë që moti,
Dhe ti Mali-Plak i lartë, që me syt e tu ke parë,
Luftëra të mëdha shumë, e punë, që kanë ngjarë.
O malet e Shqipërisë, që mbani kryet përpjetë,
Tëmer e frikë përhapni! Përpini qiejt e retë!
Të pa tundur për jetë jini, pa kur oshëtini,
Udhëtaritë në zemrë frikë të madhe i vini;
Kini shkëmbenj, gërxhe, lisa, lumënj dhe dëborë ndër gji,
Përsiprë lule’ e gjethe dhe brënfa ergjënt e flori:
E ju fusha bukuroshe, edhe të majm’ e pjellore,
Ju sheshet e lulëzuar ju bregore gjelbëroshe.
Q’u fali Zoti të mira, u mba me shumë pekule,
U dha bar e gjeth e veri, zoq e flutura e lule,
Zemrën’ e varfërë t’ime, aty ndër ju e kam mbuluar,
Jam lark jush i dëshëruar, edhe s’e duronj dot mallë,
Po s’e di si dua unë do t’i shoh njëherë vallë!
Të paskësha vrapn’ e veriut, të kisha krahë pëllumbi,
Nxitimn’ e lumit me valë, q’ikën me verik si plumbi,
E të vinja në gjit’ t’uaj nj’ujë të ftohtë të pinja,
Edhe në për ato hije një copë herë të rrinja,
Syt’ e ballit t’i xbavitnje, zemërënë ta dëfrenje,
Gazë, që paçë një herë, prap’ aty ndër ju ta gjenje.
O popo! Kshu pse më vili, përpara syve pa pushim?
O ditët’ e djalërisë! O moj kohëz’ e të rit t’im!
O flutura krahë-shkruar! Që fluturon në për erë,
As mer dhe zëmërënë t’ime, me vet-hezë dhe ma shpjerë.
Nër malet e Shqipërisë, tek kullosën bagëtija,
Tek i fryn bariu xhurasë, tek më rrinë mënt’ e mija,
Ku shkon me zile të madhe, ogiçi për mes lajthisë,
Po zjen e oshëtin mali, ngraha zër’ i bagëtisë;
Marrënë vrapn’ e nxitojnë, derdhen në gjollë për kripë,
Dhënët ndër shesh’ e ndër brigje, dhit në shkëmp e në rripë.
Bariu plak krabën në dorë, edhe urdhëron të rinjtë,
E ata gjithë punojnë, ngriturë më bres përqinjtë:
Ca bëjnë vathën e shtrungën, ca ngrehin tëndënb e stanë,
Kush sjell gjeth, karthij’ e shkarpa, sicilido ndih më një anë
Kush përvjel, kush qeth shëleknë, kush mjel dhitë, kush mjel dhëntë,
Njëri merr ushqen këlyshnë, tjatri përgëzon qëntë,
Stopani bër’ i zi sterrë, shikon bulmetn’ e bekuarë,
Tunt, bën gjalpë, djathë, gjizë, edhe punon pa përtuar;
Udhëtarvet, gjahëtorvet, q’u bije udha ndër male,
U ep mish, qumësht, kos, dhallë, ajkë, djathë, bukëvale...
Kec’ i mbeturë pa mëmë dhe i varfër’ e i shkretë,
Mënt mëmënë, që ka mbetur pa bir e pa gaz në jetë.
Dëgjoret nga mez’ i pyllit krism’ e sëpatës s’druvarit,
E sharresë, që bën lëndë, edhe fyell’ i shterparit.
Shterpari s’i qaset stanit, po nër pyje nij’ e ngrihet,
Në për maja, nër bregore, rri, këndon, a gdhënt, a shtrihet;
S’i trëmbetë syri kurrë, vetëm ajy dit’ e natë,
Nga ujku e nga kusari s’ka frik’ as nga lis’ i gjatë,
As nga shkëmbenjt’ e nga pylli; as gogolëtë s’e hanë,
Armëtë ka shok e vëlla, mëm’ e motërë xhuranë,
Miqt’ e ti shqerratë janë, kecëritë, dhitë, dhëntë,
Cjeptë, ziletë, këmborët, deshtë, e më teprë qëntë,
Që s’flenë, po rrin’ e ruajnë bagëtinë dhe barinë,
Kur shohin, tundin bishtin, dhe me gaz të math i vinë:
S’e hanë njerin’ e mirë edhe mikn’ e udhëtarë,
Se njohën, po të liknë, egërsirënë, kusarë.
Vjen nata, e lë në t’errët, del hëna i përhap dritën,
Vjen mëngjesi, sbardhëllehet, lint diell’ i bije ditën;
Yjtë, hëna, djelli, shënja, lindin e prapë perëndojnë,
Gjithë ç’lëvrijnë nër qiej, përpara syvet i shikojnë;
Mblidhen ret’ e hapësira, bënetë e zezë sterrë,
Vetëtimat e gjëmimet nisin, e shiu zë të bjerë,
Bariu vë gunën më kokë, z’eshkën me herë të parë,
Ndes shkarpat sakaqëherë, a lisnë fyl, dhe bën zjarrë;
Fishkëllen e thërret qentë si cilën me emër veçan,
Pa kur derdhetë baliku! Ujkun e zë edh’ e përlan,
Sa bisha, që bie dëmnë, errësir, e mjergull kërkon,
Papo bariu shum’ ahere vë re dhe mba vesh e dëgjon:
Dhe sokëllin me zë të math, tunden malet e shkëmbenjtë,
Gumzhitin pyjet e veshur, e oshëtinjë përrenjtë!
Ësht’ e lehtë dhi e stani, që kullot gjethin e malit,
Dhe bij’ e fle majë shkëmbit e pi ujëthit e zallit,
Dhi e shtëpis’ ësht’ e plokshtë, fle në vath’ e nënë strehë,
E pi ujët e rrëkesë edhe shtrihetë në plehë,
Ësht’ e butëz, edh’ e qetë dhe e urtë manare,
Nukë është si malsorja, andaj i thonë bravare.
Në pshat, posa sbardhëllehet, sheh në plakëzë të gjorë,
Ngrihet, hap derën nga-dale